Secondary Adv

Zgjedhjet 2025, raporti: Vota e Diasporës na kushtoi 7 milionë euro

Raporti i KQZ zbulon koston e lartë të procesit zgjedhor dhe shpenzimet për votimin nga jashtë.

Zgjedhjet parlamentare dhe ato të pjesshme vendore të vitit 2025 i kanë kushtuar buxhetit të shtetit shqiptar rreth 30 milionë euro, sipas raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve është përqendruar në mallra dhe shërbime, që përbëjnë afro 90 për qind të buxhetit total të institucionit.

 

Sipas raportit, procesi zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit për Kuvendin dhe zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit për 5 bashki u financua nga buxheti i shtetit, ku vetëm për shpenzimet operative si transporti i materialeve zgjedhore, qiraja e ambienteve, shpërblimi i komisionerëve dhe organizimi i strukturave zgjedhore u përdor një fond prej rreth 3 miliardë lekësh.

 

Kosto e lartë për votën e diasporës

Një nga zërat më të spikatur të shpenzimeve ishte vota e diasporës, e cila u aplikua për herë të parë në këto zgjedhje. Vetëm për shërbimin postar të këtij procesi u shpenzuan rreth 7 milionë euro, një shumë e konsiderueshme që e bën këtë element një nga kostot më të larta të të gjithë procesit zgjedhor.

 

Fillimisht, fondi i planifikuar për këtë shërbim ishte mbi 12 milionë euro, por kontrata përfundimtare u lidh me një vlerë më të ulët, duke sjellë kursime në fazën e prokurimit. Megjithatë, përdorimi real i shërbimit rezultoi më i ulët se pritshmëritë, duke reflektuar një pjesëmarrje më të kufizuar të votuesve nga jashtë vendit.

 

Risi me ndikim të diskutueshëm

Votimi i diasporës shënoi një risi historike, duke u dhënë mundësi për herë të parë shqiptarëve jashtë vendit të votojnë nga shtetet ku jetojnë. Megjithatë, ndikimi i kësaj vote në rezultatin zgjedhor dhe në demokracinë e brendshme mbetet objekt diskutimi, me qëndrime të ndara mes aktorëve politikë dhe ekspertëve.

 

Pavarësisht kësaj, zgjedhjet e vitit 2025 konsiderohen si një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes më të gjerë të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve në proceset demokratike të vendit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat